Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
16 dhjetor 2025
Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian ka miratuar të martën konkluzionet për procesin e zgjerimit, duke i bërë thirrje Kosovës që të intensifikojë reformat në rrugën drejt integrimit evropian.
Në dokumentin për Kosovën theksohet nevoja për përparim më të madh në forcimin e administratës publike dhe sundimin e ligjit, përfshirë konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirive themelore, veçanërisht lirisë së shprehjes, fushë në të cilën thuhet se nuk është shënuar përparim i mjaftueshëm. Ndërkohë, përparim vlerësohet të jetë arritur në luftën kundër krimit të organizuar.
BE-ja i kërkon Kosovës gjithashtu zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa status kandidati për anëtarësim, pavarësisht se ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.
Në draft-konkluzat e siguruara nga Radio Evropa e Lirë, Kosova vlerësohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale, si dhe për transferimin e rregullt të pushtetit në komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Në këtë kontekst, Këshilli përsërit pritjen për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese të mbetura ndaj Kosovës.
Masat ndëshkuese u vendosën nga BE-ja në verën e vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri të vendit. Edhe pse heqja e tyre ka nisur në mënyrë graduale, autoritetet në Kosovë kanë vlerësuar se vazhdimi i tyre është i padrejtë, duke theksuar se kushtet për heqjen e plotë tashmë janë përmbushur.
Sipas një analize të Institutit GAP, masat e BE-së i kanë shkaktuar Kosovës humbje rreth 613 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra, ndërsa mbi 7 milionë euro janë humbur përfundimisht për shkak të kalimit të afateve.
Në konkluzat e tij, Këshilli i BE-së thekson rëndësinë gjeostrategjike të procesit të zgjerimit dhe nënvizon se përparimi i Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian varet drejtpërdrejt nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të vitit 2023 dhe angazhimi i vazhdueshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

















