Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
05 dhjetor 2025
Bashkimi Evropian i kërkon Serbisë të përshpejtojë reformat në sundimin e ligjit dhe të zbatojë me rigorozitet ligjet e miratuara për mediat dhe listën e unifikuar të votuesve, sipas draft-përfundimeve të Këshillit të Ministrave të BE-së mbi Serbinë dhe procesin e zgjerimit.
Sipas dokumentit, Serbia konsiderohet teknisht e gatshme për hapjen e grupit 3 të negociatave mbi konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, por vendet anëtare do të vendosin për hapa të mëtejshëm bazuar në progresin konkret, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën. BE-ja shpreh shqetësim për tensionet dhe “polarizimin e thellë” në shoqërinë serbe, pengesat në fushën e lirisë së medias dhe kërkon reforma konkrete ligjore.
Në draft përmenden edhe protestat masive në Serbi pas incidentit në stacionin e trenit në Novi Sad, ku BE-ja kërkon hetim të plotë dhe të paanshëm për përdorimin e tepruar të forcës dhe mbrojtje të sigurisë së gazetarëve. Serbia ftohet të krijojë kushte për dialog gjithëpërfshirës me shoqërinë civile dhe të sigurojë respektimin e të drejtave themelore dhe të pakicave.
BE-ja mirëpret ligjet e reja mediatike, por kërkon zbatim të plotë, emërimin e anëtarëve të Këshillit të REM-it dhe angazhim në luftën kundër dezinformimit dhe manipulimit të jashtëm. Raportohet se nuk ka pasur progres të dukshëm në fushën e drejtësisë, ndërsa ka përparim të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Drafti nënvizon gjithashtu rëndësinë e zbatimit të Listës së Unifikuar të Votuesve dhe rekomandimeve të ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës për procesin zgjedhor. Në pjesën për dialogun Kosovë–Serbi, BE-ja kërkon zbatim të plotë të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe njohje të dokumenteve dhe simboleve të Kosovës, si dhe zgjidhje të koordinuar për shërbimet publike të financuara nga Serbia në Kosovë.
Në draft përmendet edhe shqetësimi i BE-së për dhënien e pasaportave serbe qytetarëve rusë përmes procedurave të përshpejtuara, duke u konsideruar rrezik për sigurinë e Bashkimit Evropian.
Në thelb, BE-ja kërkon nga Serbia vullnet politik të qartë dhe veprime konkrete për të avancuar procesin e integrimit evropian dhe për të përmbushur obligimet ndaj fqinjëve dhe qytetarëve të saj.

















