Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
22 shkurt 2025
Bashkimi Evropian tha se statusi i objekteve të Serbisë në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime sociale, duhet të zgjidhet në dialogun që e lehtëson blloku, duke i bërë thirrje Prishtinës që të mos i mbyllë këto struktura.
Kështu tha një zëdhënës i Komisionit Evropian kur u pyet lidhur me mbylljen e katër objekteve të Qendrës për punë sociale në Mitrovicë të Veriut, që funksiononin sipas sistemit serb, nga Policia e Kosovës më 21 shkurt.
Autoritetet kosovare thanë se në objektet e mbyllura ishin kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
BE-ja tha se është në dijeni për operacionin e zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe misioni i saj për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, po e monitoron situatën dhe Brukseli po pret “detaje të tjera për të përcaktuar faktet”.
“Siç kemi thënë në të kaluarën, statusi i këtyre strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. As institucionet e shëndetësisë dhe edukimit të mbështetura nga Serbia, e as strukturat e tjera të mbështetura nga Serbia që ofrojnë shërbime bazike sociale nuk duhet të mbyllen”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të KE-së.

















