Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
24 dhjetor 2025
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim zyrtar me Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Gjatë takimit, gjeneral Jashari shprehu mirënjohje për udhëheqjen dhe kontributin e gjeneral Kingjit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë ofruar ndaj FSK-së ndër vite. Në fokus të diskutimeve ishin edhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, si dhe roli i FSK-së në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Të dy gjeneralët vlerësuan progresin e arritur nga FSK-ja në procesin e transformimit dhe modernizimit, si dhe performancën e suksesshme të pjesëtarëve të saj në aktivitetet shumëkombëshe, veçanërisht në aspektin e ndërveprueshmërisë.
Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet FARSH-it dhe FSK-së, sidomos në fushat e arsimimit ushtarak, stërvitjes dhe shkëmbimit të përvojave profesionale, me synimin për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Në përmbyllje, u ritheksua se thellimi i bashkëpunimit mes dy forcave mbrojtëse shqiptare mbetet një prioritet strategjik kombëtar, i domosdoshëm për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

















