Ballkani Perëndimor, rajoni më i paqëndrueshëm në Europë; konflikti Serbi-Kosovë kërcënon aktivizimin e Nenit 5 të NATO-s, paralajmëron Keith Self

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

03 dhjetor 2025

Pjesëmarrësit e një seance dëgjimore në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së kërkuan nga administrata Trump që të rrisë përfshirjen e saj në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se kjo do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit. Sipas tyre, Rusia përmes Serbisë mbetet një faktor kryesor i paqëndrueshmërisë në këtë zonë.

Në fjalën e tij gjatë çeljes së seancës, kryetari republikan i Nënkomitetit për Europën, Keith Self, e quajti Ballkanin Perëndimor “rajonin më të paqëndrueshëm në Europë” pas Ukrainës, e cila vazhdon të përballet me pushtimin rus.

Ai vuri në dukje se marrëdhëniet e pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës janë një nga shkaqet kryesore të tensioneve në rajon, duke i mundësuar Rusisë të dobësojë më tej ndikimin e Bashkimit Europian dhe aftësinë e NATO-s për të mbështetur vendet e Ballkanit. Në rast konflikti, sipas Self, aleatët e NATO-s si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të jenë drejtpërdrejt në shënjestër, me mundësi aktivizimi të nenit 5 të Aleancës. Ai shtoi se Kosova do të jetë veçanërisht e ekspozuar për shkak se nuk është pjesë e NATO-s.

Self gjithashtu paralajmëroi se kundërshtarët e SHBA-së po shfrytëzojnë dobësitë e rajonit për të zhvilluar strategji të luftës hibride, duke rritur paqëndrueshmërinë, dhe theksoi se Kina po përdor ndikimin e saj përmes stërvitjeve ushtarake dhe dërgimit të armëve në Serbi.

Scroll to Top