AUV: Therja e kurbanit vetëm në thertore të licencuara, në të kundërtën masa ligjore

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

01 qershor 2025

Besimtarët e fesë islame të premten e 6 qershorit kremtojnë festën e Kurban Bajramit.

Me afrimin e kësaj feste të shenjtë për fenë Islame, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë,  iu ka bërë thirrje të qartë qytetarëve të besimit islam që therjen e kurbanit ta kryejnë vetëm në thertore të licencuara.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, folur rreth rëndësisë së respektimit të standardeve të përcaktuara me ligj.

Thaçi tha se kjo nuk është vetëm çështje besimi, por edhe siguri për shëndetin publik dhe zbatim i ligjit.

“Ne para çdo festimi të Kurban Bajramit gjithmonë u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës të besimit islam që therjen e Kurban Bajramit ta bëjnë vetëm në thertore të licencuara, sepse në këtë formë do ta ruajmë shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Therja jashtë ambienteve që nuk i plotësojnë kushtet teknike, sanitare, higjienike, jo vetëm që bie ndesh me legjislacionin në fuqi, por edhe paraqet rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve,”, tha ai.

Gjithashtu ai vlerësoi se vetëdija e qytetarëve dhe fermerëve është rritur në vitet e fundit, duke i dërguar kafshët për therje në thertore të licencuara.

“Vitet e fundit kemi një ndryshim pozitiv. Fermerët edhe bagëtitë e tyre që i mbajnë për therje po i dërgojnë në thertore të licencuara, sepse edhe ata vetë e kanë parë që kjo therje gjithmonë është fillimisht e sigurt, pastaj edhe është në respektim të gjithë legjislacionit të aplikuar në Kosovë” u shpreh Thaçi.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, shtoi se në thertoret e licencuara janë gjithmonë të pranishëm inspektorët veterinarë të AUV-së, të cilët garantojnë kontrollin para, gjatë dhe pas therjes

Scroll to Top