Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
07 shtator 2025
Kroacia ditë më parë ka bërë ndalimin e disa ngarkesave me domate dhe pjeshkë nga Shqipëria, të cilat rezultuan me përmbajtje të lartë pesticidesh dhe metali të rëndë si nikeli.
Lidhur me këtë situatë të krijuar në shtetin fqinj, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka sqaruar se produkte të tilla nuk janë futur në tregun kosovarë.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka sqaruar se Kosova realizon kontrolle të rregullta dhe sistematike për çdo produkt të importuar, përfshirë frutat dhe perimet me origjinë nga Shqipëria.
“Kontrollet kryhen bazuar në planin nacional të kontrolleve zyrtare dhe të mostrimit, të cilat bazohen në vlerësimin e riskut. Në kudër të planeve me qëllim të monitorimit dhe kontrollit të mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime( përcaktimit të nivele të lejuara te mbetjeve -MRL), AUV ka marrë mostrat në mënyre sistemike, mostrat të cilat janë testuar në laboratorë të BE-së, me metoda konfirmative”, ka deklaruar Thaçi.
Ai thekson se rezultatet e deritanishme kanë qenë të pranueshme dhe gjithmonë i janë referuar standardeve ndërkombëtare dhe rregulloreve të BE-së për mbetjet e pesticideve.