AUV-i në gjendje emergjente pas mungesës së inspektorëve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

27 maj 2025

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bën të qartë se nuk po arrin të përmbushë mandatin ligjor për kontrollin e produkteve ushqimore, për shkak të mungesës së theksuar të inspektorëve.

Zëdhënësi i Agjencisë, Lamir Thaçi, thotë se situata është emergjente dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për miratimin e pozitave të reja, përndryshe rrezikohet seriozisht siguria ushqimore dhe shëndeti i qytetarëve.

Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të drejtuara institucioneve shtetërore për miratim të pozitave të reja, nuk është marrë ende asnjë aprovim zyrtar.

“Aktualisht jemi në një situatë urgjente për të shtuar numrin e inspektorëve sepse ka regjione që mbulohen vetëm me nga një-dy inspektorë dhe kjo është tepër e pamjaftueshme për shkak të kompleksitetit që ka dhe mandatit, dhe agjencia që lidhet direkt me jetën dhe shëndetin e qytetarëve, shëndetin e bimëve dhe shëndetin e kafshëve. Është urgjente që ne të rekrutojmë staf të ri. Kemi paraqitur kërkesa në vazhdimësi pranë institucioneve dhe mekanizmave të tjerë shtetërorë të cilët duhet të bëjnë lejimin dhe aprovimin e këtyre pozitave dhe deri më tani nuk kemi marrë. Ne shpresojmë që sa më shpejt të punësohen inspektorët që ne të arrijmë të përmbushim mandatin tonë ligjor që kemi. Imagjinoni – ne duhet të kontrollojmë të gjitha thertoret gjatë gjithë kohës sa ato ushtrojnë therje e po ashtu të njëjtit inspektorë duhet të kontrollojnë të gjitha fabrikat e përpunimit dhe paketimin e të gjitha produkteve me origjinë shtazore. E në të njëjtën kohë edhe pikat shitëse apo marketet për të gjitha këto produkte”, tha ai .

Thaçi shtoi se, ndonëse me ligj është paraparë krijimi i trupës së re të inspektorëve të sigurisë ushqimore, deri tani nuk është rekrutuar as edhe një inspektor në këtë profil.

Scroll to Top