Autoritetet malazeze konfirmojnë se po hetojnë incidentet me armë zjarri në kufirin mes Malit të Zi dhe Kosovës

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

26 shtator 2025

Policia malazeze dhe Prokuroria në Rozhajë janë duke hetuar dy incidente në kufirin mes Malit të Zi dhe Kosovës – një në korrik të vitit të kaluar dhe një tjetër më 24 gusht të këtij viti – kur u dëmtuan objektet e qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim nga të shtëna me armë zjarri.

Në të dyja rastet, Policia dhe Prokuroria dyshojnë se të shtënat janë kryer nga territori i Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Rozhajë, Aldin Kallaç.

Objektet e qendrës së skijimit, që ndodhen pranë kufirit kosovaro-malazez në territorin e Rozhajës dhe janë ende në ndërtim e sipër, po ruhen nga Policia që nga korriku.

Prokuroria në Rozhajë kishte hapur tashmë një rast për incidentin e korrikut të vitit 2024, kur në objektin e teleferikut u gjetën vrima plumbash.

Pas gjetjes së dëmtimeve të reja në teleferik në fund të gushtit të këtij viti, Prokuroria i ka kërkuar Policisë të mbledhë të dhëna për të hapur rast edhe për këtë incident.

“Drejt fundit të gushtit janë vërejtur tri dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit nga armë zjarri. Policia ka ndërmarrë veprime për t’i zbuluar autorët, por rrethanë rënduese mbetet fakti se veprimi është kryer nga territori i Republikës së Kosovës”, tha Kallaç.

Ai shtoi se Policia është ende duke mbledhur informacione dhe se është kërkuar bashkëpunim edhe nga Policia e Kosovës.

“Përmes institucioneve ndërkombëtare, Policisë së Kosovës i janë dërguar kërkesa për bashkëpunim dhe identifikimin e autorëve. Por, deri tani nuk kemi marrë përgjigje. Pas mbledhjes së të gjitha informacioneve do të hapet rast i plotë”, theksoi Kalla.

Fadil Gashi nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës tha se nuk ka asnjë informacion për incidente të sigurisë në kufirin me Malin e Zi, duke theksuar se policia rajonale është më shumë e angazhuar “për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, e jo për incidente ndërkombëtare.

Mediumi i është drejtuar edhe drejtorisë qendrore të Policisë së Kosovës me pyetjen nëse kanë ndonjë informacion lidhur me rastin dhe është në pritje të përgjigjes. Për të njëjtën çështje, përgjigje pritet edhe nga Qeveria e Kosovës.

Nga ana tjetër, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, ka thene se mban kontakte me autoritetet lokale në Rozhajë, konkretisht me kryetarin Rahman Husoviq, por se askush nuk e ka informuar për këto dyshime apo për incidentet e ndodhura.

“Tani po e dëgjoj nga ju. Askush nuk më ka kontaktuar, askush nuk ka raportuar asgjë. Kryetarin e Rozhajës e kam parë për herë të fundit në qershor, por nuk kam marrë asnjë ankesë. Para shtatë-tetë ditësh kam qenë në Plavë, mund të më thoshin diçka, por askush nuk më ka thënë asgjë”, tha ai.

Në seancën e Kuvendit Komunal të Rozhajës, të mbajtur më 18 shtator, shefi i Departamentit të Sigurisë në këtë komunë, Vlladimir Delleviq, ka deklaruar se në qendrën e ardhshme të skijimit Hajlla-Shtedim janë regjistruar disa incidente, përfshirë një më i rëndë më 24 gusht të këtij viti.

Ai ka konfirmuar se incidente kishte pasur edhe në korrik të vitit të kaluar dhe se që nga 9 korriku i këtij viti, Policia po e ruan qendrën e skijimit 24 orë në ditë, pasi kishin “informacione operative se e gjithë infrastruktura mund të rrezikohej”.

“Incidenti ka ndodhur më 24 korrik 2024, kur nga territori i shtetit fqinj u përdor armë zjarri dhe u dëmtua konstrukti metalik pranë portës së sipërme të qendrës së skijimit në ndërtim e sipër”, tha Delleviq.

Për incidentin e 24 gushtit të këtij viti, ai shtoi se rasti “mund ta tejkalojë kuadrin e një incidenti të sigurisë dhe të ngrihet në nivel diplomatik”.

Scroll to Top