Autobusët e trafikut urban nuk respektojnë orarin e nisjes, qytetarët të revoltuar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

10 korrik 2025

    Autobusët e trafikut urban në kryeqytet vazhdojnë të mos respektojnë oraret e caktuara të nisjes, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe tek udhëtarët, sidomos ata që përdorin linjën 3C.

    Sipas qytetarëve, ndonëse ekziston një orar i përcaktuar për nisje nga stacioni kryesor, në praktikë gjithçka varet nga vullneti i shoferëve.

    “Ne e dimë që autobusi duhet të niset çdo 15 minuta, por shpesh ndodh që të niset 5 apo 6 minuta më herët dhe pastaj na duhet të presim edhe 20 minuta për tjetrin”, shprehet për IndeksOnline një udhëtar i rregullt i linjës 3C.

    Rasti më i freskët, sipas tij, ka ndodhur sot (e enjte), kur autobusi që duhej të nisej në ora 08:15 nga rrethi i Matit, u nis 6 minuta më herët.

    “Unë, bashkë me shumë udhëtarë të tjerë, u detyruam të presim deri në ardhjen e autobusit tjetër, që erdhi pas 20 minutash” .

    Edhe një udhëtare tjetër, e cila udhëton çdo ditë me këtë linjë, thekson se kjo është papërgjegjësi e madhe.

    “Nuk e di a i kontrollon dikush, por nuk është normale që autobusët të nisen kur të dojë shoferi. Kjo nuk duhet të tolerohet”.

    Scroll to Top