Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 116 vjet më parë në Kongresin e Manastirit, është paralajmëruar të jetë festë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare. Megjithatë, Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave, nuk e kanë parë të rrugës të organizojnë asnjë aktivitet.
Të vetmin organizim për këtë ditë e ka organizuar Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Ky institut hapjën e Ditëve të Alfabetit e bëri me temën qendrore “Profili shumëdimensional i shkrimtarit Ismail Kadare”. Në ngjarje morën pjesë përfaqësues politikë, anëtarë të korit diplomatik, akademikë, hulumtues shkencorë dhe familjarë të trungut të familjes Qiriazi.
Në fjalën e tij hyrëse, drejtori i institutit, Skender Asani, theksoi se Kongresi i Alfabetit ka shërbyer si një ngjarje unifikuese për shqiptarët dhe një urë komunikimi me fqinjët ballkanas e miqtë evropianë.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti, e përshkroi këtë ngjarje si një hallkë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një kujtesë për përgjegjësinë që bartësit e funksioneve politike kanë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të RMV-së, Bllazhe Boev, u shpreh se përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore dhe se zhvillimi i larmisë gjuhësore në Maqedoni është vlerë që e pasuron vendin.
Ndërkaq akademiku Gëzim Hoxha, përfaqësues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, theksoi simbolikën e Kongresit të Manastirit si një faktor përbashkimi kombëtar i cili vazhdon të shërbejë si një faktor kohezioni mes shqiptarëve kudo që ata ndodhen.
Një pjesë e rëndësishme e manifestimit ishte përurimi i botimit të edicionit të pestë të Ditëve të Alfabetit nga kryeredaktorja dhe bashkëpunëtorja hulumtuese e ITSHKSH Hidajete Azizi, botim ky që përmbledh aktivitetet shkencore nga po ky manifestim vitin e kaluar.