Arrestohen pesë zyrtarë policorë pas incidentit me fatalitet në Lipjan

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

08 koriik 2025

Pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar mbrëmjen e së hënës në lidhje me vdekjen e një qytetari gjatë një incidenti në Lipjan. Arrestimi u krye nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të IPK-së, në mesin e të arrestuarve është një rreshter dhe katër zyrtarë policorë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në ndërhyrjen policore që rezultoi me fatalitet. Ata janë ftuar fillimisht për intervistim në cilësinë e të dyshuarve dhe pas marrjes në pyetje, si dhe mbledhjes së dëshmive të reja gjatë ditës, është marrë vendimi për arrestimin e tyre.

Prokurori i çështjes ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve për 48 orë, ndërsa hetimet në këtë rast do të vazhdojnë në ditët në vijim. Autoritetet paralajmërojnë ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore me qëllim ndriçimin e plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së qytetarit, përfshirë edhe rezultatet e ekzaminimeve mjeko-ligjore që priten së shpejti.

IPK thekson se është e përkushtuar për të zbardhur të gjitha aspektet e këtij rasti dhe për të siguruar llogaridhënie institucionale.

Scroll to Top