Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
08 mars 2025
Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona nën dyshimin për përfshirje në trafikim me lëndë narkotike dhe janë sekuestruar lëndë që poashtu dyshohet të jenë narkotike dhe dëshmi të tjera.
“Hetuesit policorë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Prizren, në vazhdën e trajtimit të një rasti, nën dyshimin për trafikim me lëndë narkotike, kanë arritur të identifikojnë të dyshuarit. Policia ka hasur dhe sekuestruar dëshmitë si substanca narkotike, marihuanë me peshë 10kg e 510 gr, armë zjarri, karikator me 8 fishekë, automjete me targa vendore dhe tre telefonë.”, thuhet në komunikatë.
Sipas Policisë operacioni ka vazhduar me kontrollimin e një shtëpie dhe një lokali, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë tjera si substanca narkotike, e llojit marihuanë, katër fishekë dy peshore elektronike, dy kuti me pajisje për pastrim armësh, një foli plastike dhe para të gatshme në vlerë 3965€.
Ndërkaq lidhur me rastin janë ndaluar dy të dyshuar: N.I., (viti i lindjes 1985, mashkull kosovar) dhe E.M., (viti i lindjes 2000, mashkull kosovar). Po ashtu, policia ka informacione se i përfshirë në rast është edhe një i dyshuar tjetër, i njohur për policinë. Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve dhe me vendim me shkrim të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë.


















