Apel i fuqishëm nga bashkëshortja e një ish-pjesëtari të forcave të sigurisë: “Arbnori është hero, jo fajtor – mos lejoni që heshtja të jetë përgjigjja e shtetit”

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

11 qershor 2025

Në një deklaratë publike emocionalisht të ngarkuar, bashkëshortja e Arbnorit – një ish-pjesëtar i përkushtuar i forcave të sigurisë së Kosovës – ka ngritur zërin kundër, siç e cilëson ajo, heshtjes së institucioneve shtetërore ndaj gjendjes aktuale të tij. Ajo ka kërkuar reagim urgjent nga Presidentja Vjosa Osmani, Qeveria dhe të gjitha institucionet përkatëse.

Ajo për Televizionin Dukagjini ka thënë se Arbnori më shumë se kurrë tani ka nevojë për përkrahje, e që deri më tani të gjitha institucionet kanë heshtur.

“Kërkoj publikisht që të merrni një qëndrim, të flisni dhe të ndërmerrni hapa konkretë për të adresuar rastin e bashkëshortit tim dhe të tjerëve si ai.Arbnori ka kontribuar për sigurinë e Kosovës për vite me radhë. Dhe sot, kur ai ka më shumë se kurrë nevojë për përkrahje, është lënë në heshtje. Asnjë institucion nuk ka reaguar. As Presidentja e vendit, as Kuvendi, as askush tjetër. Dhe kjo heshtje është një dhimbje tjetër për familjen time”, ka thënë ajo.

Tutje Spahiu ka theksuar se nuk po flet si bashkëshorte por si qytetare.

“Nuk po flas këtu vetëm si bashkëshorte. Po flas si qytetare. Sepse nesër kjo mund t’i ndodhë dikujt tjetër. Kërkoj nga Presidentja Vjosa Osmani, nga Qeveria dhe nga të gjitha institucionet që të reagojnë menjëherë. Arbnori duhet të kthehet në shtëpi. Ai nuk është fajtor – ai është një hero i heshtur i këtij vendi”, ka thënë ajo.

Thirrja e bashkëshortes së ish-policit

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Me dhimbje të thellë dhe me ndjenjën e një padrejtësie të madhe po ju drejtohem publikisht, si bashkëshortja e një ish-pjesëtari të njësisë speciale të Kosovës – një njeriu që i ka shërbyer shtetit me nder, përkushtim dhe sakrificë të madhe. Është e pafalshme dhe e pakuptueshme për mua – dhe për shumë qytetarë që besojnë në drejtësinë e këtij shteti – që asnjëherë nuk keni dalë të flisni publikisht për të, për kontributin e tij, për vuajtjet dhe padrejtësitë që ai po i përjeton sot.

“Bashkëshorti im ka dhënë gjithçka për këtë vend. Ka kontribuar për sigurinë e Kosovës për vite me radhë. Sot, kur ai ka më shumë se kurrë nevojë për përkrahje, është lënë në heshtje. Kjo është dhimbje e dyfishtë për familjen time, për fëmijët tanë, dhe për të gjithë ata që besuan se sakrifica do të vlerësohej,” tha ajo.

Ajo theksoi se nuk po flet vetëm si bashkëshorte, por si qytetare e shqetësuar për drejtësinë dhe kujdesin institucional ndaj atyre që kanë shërbyer vendin në kohët më të vështira.

“Heshtja institucionale është e papranueshme. Kjo nuk është vetëm për Arbnorin, kjo është për çdo njeri që ka kontribuar për këtë vend dhe mund të përballet me të njëjtën padrejtësi nesër,” shtoi ajo.

Ajo i bëri thirrje Presidentes së vendit, Kuvendit, Qeverisë, por edhe shoqërisë civile dhe mediave që të reagojnë dhe të mos bëhen pjesë e kësaj “heshtjeje që lëndon”.

“Arbnori duhet të kthehet në shtëpi. Ai nuk është fajtor – ai është një hero i heshtur i këtij vendi. Ju lutem, mos heshtni. Heshtja është bashkëfajësi.”

Scroll to Top