Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
20 qershor 2025
Në mesin e dhjetëra shtetasve të huaj të evakuuar nga Lindja e Mesme për shkak të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, ndodheshin edhe qytetarë nga Kosova.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, një grup prej 89 shtetasish bullgarë dhe 59 të tjerë nga vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, SHBA-në, Slloveninë, Belgjikën dhe Rumaninë, janë larguar të sigurt nga zona e konfliktit.
Ata u evakuuan fillimisht nga Izraeli drejt qytetit egjiptian Sharm el-Sheikh, prej nga u transportuan më pas me aeroplan në kryeqytetin bullgar, Sofje.
Evakuimi u krye përmes koordinimit të disa shteteve dhe ndihmës së Bashkimit Evropian, i cili ka lehtësuar largimin e rreth 400 personave nga zona e luftës përmes Jordanisë dhe Egjiptit.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ende nuk ka një numër të saktë të kosovarëve të prekur, por mësohet se përfaqësuesit diplomatikë janë në kontakt me autoritetet e vendeve pritëse dhe janë në gatishmëri për të ofruar ndihmën e nevojshme për çdo qytetar të Kosovës që ndodhet në rajon.