Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
21 korrik 2025
Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur të anulojë aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, me të cilin pesë zyrtarëve policorë u ishte caktuar masa e paraburgimit lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Fejzullahu gjatë arrestimit.
Në njoftimin zyrtar, thuhet se Apeli ka miratuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve I.N., A.R., A.K., L.Rr. dhe E.B., duke e kthyer rastin për rivendosje, për shkak të shkeljeve në procedurë.
“Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i ankimuar nuk përmban analizën dhe vlerësimin e provave relevante, të besueshme dhe me fuqi provuese për të konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën pretendohet”, thuhet në vendim.-Advertisement-
Apeli ka konstatuar shkelje të dispozitave të procedurës penale që kushtëzojnë anulimin e aktvendimit të Themelores dhe i ka rekomanduar gjykatës së shkallës së parë që në rivendosje të eliminojë mangësitë e identifikuara.
Pesë policët ishin ndaluar më herët nën dyshimin se kishin shkaktuar vdekjen e Fejzullahut nga pakujdesia, gjatë ndërhyrjes policore. Rasti vazhdon të jetë nën hetim, ndërkohë që vendimi i Apelit ka rikthyer në pikënisje procedurat gjyqësore ndaj tyre.