Mbi 4 kilogramë kokainë janë kapur gjatë një operacioni të Antidrogës në Prizren.
Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Operacioni është zhvilluar më datë 11 gusht 2025, në rrugën “Viljam Voker” në Prizren, ku për pasojë është arrestuar i dyshuari me iniciale H.K i vitit të lindjes 1994, shtetas i Republikës së Kosovës.
Kështu ka njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ku theksohet se sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kapë vlerën deri në 300 mijë euro.
Në njoftim thuhet se i dyshuari është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Ndërkaq, pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.
Gjatë kontrollit të realizuar në dy lokacione me urdhër të prokurorit kompetent, Policia thotë se në njërën nga lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale.
“Substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë totale 4 kg e 440 gram; Dy peshore elektronike; Para në vlerë prej 260 euro; Një pajisje për vakumim të qeseve plastike; Një motoçikletë PIAGGIO VESPA; Një telefon mobil iPhone 15 Pro Max; Një skalper; dhe, sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim”, theksoi Policia në njoftim.

















