Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
13 maj 2025
Kosova nuk pritet të jetë në rend dite për anëtarësim në Këshillin e Evropës as në mbledhjen e Komitetit të Ministrave, që mbahet sot.
Në mbledhjen që do ta mbajë Komiteti i Ministrave sot dhe nesër, Kosova nuk figuron si pjesë e agjendës.
Njëra nga përfaqësueset e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se nuk e sheh asnjë mundësi që Kosova të jetë në agjendë.
“Si një vend që për momentin jemi pa institucione, pa përfaqësim, si një vend që nuk kemi aleatë që flasin për ne, që lobojnë për shtetin e Kosovës, unë nuk shoh që të ketë asnjë hap pozitiv dhe nuk e shoh asnjë mundësi që Kosova të jetë në agjendë, në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Ministrave”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, një kthesë pozitive mund të vije vetëm nga një qeverisje e re.
Kushtet kryesore për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishin zbatimi i vendimit të Kushtetueses për kthimin e pronave të Manastirit të Deçanit dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.