Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 dhjetor 2025
Pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe ndryshimeve të thella në arkitekturën e sigurisë evropiane, çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO po rikthehet me intensitet në qendër të debatit politik dhe strategjik. Kjo temë nuk po trajtohet më vetëm si synim afatgjatë, por gjithnjë e më shumë si një nevojë urgjente sigurie për Kosovën dhe gjithë rajonin.
Zhvillimet gjeopolitike, mbështetja në rritje e Shteteve të Bashkuara dhe roli gjithnjë më aktiv i Kosovës në sigurinë rajonale kanë bërë që kjo çështje të fitojë peshë të re në Uashington dhe në kryeqendrat vendimmarrëse evropiane.
Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se zgjerimi i NATO-s me Kosovën do të kontribuonte drejtpërdrejt në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Në një intervistë për Politico, ajo u shpreh se anëtarësimi në Aleancë për Kosovën nënkupton siguri, duke paralajmëruar për interesat afatgjata të Rusisë për destabilizimin e rajonit dhe Evropës.
Ndërkohë, Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar se integrimi në NATO mbetet objektiv strategjik. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se vitet e fundit janë rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje, ndërsa në vitin 2024 Kosova avancoi statusin e saj në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar. Po ashtu, Kosova ka qenë tri herë pjesëmarrëse dhe mikpritëse e ushtrimeve ushtarake “Defender Europe”.
Njohësit e sigurisë vlerësojnë se pas luftës në Ukrainë, anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është më thjesht çështje vullneti politik, por një domosdoshmëri gjeostrategjike.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi, thekson se kërkesa për pranimin e Kosovës në NATO po artikulohet gjithnjë e më hapur në qarqet perëndimore, veçanërisht nga presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë politikë në vend.
Sipas tij, pavarësisht dallimeve brenda spektrit politik në Kosovë, kjo kërkesë mbetet legjitime dhe e pashmangshme. Bytyçi vëren se disa figura politike janë më të qarta për këtë proces, ndërsa të tjerë mbajnë qëndrime më të rezervuara lidhur me kohën dhe mënyrën e anëtarësimit.

















