Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 korrik 2025
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë sa i përket krizës institucionale dhe moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se është e rëndësishme të respektohet afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.
“Vërejmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rekomanduar që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga vendimi i saj, dhe kjo datë po afrohet”, thuhet në një përgjigje për mediat nga Ambasada.
Gjithashtu Ambasada rikujton se është përgjegjësi e lidershipit politik të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe të formojë institucione funksionale, Kuvendin dhe Qeverinë.
“Është përgjegjësi e liderëve politikë që ta konstituojnë Kuvendin dhe të formojnë një qeveri stabile, në përputhje me Kushtetutën”.thuhet tuje në përgjigje.
SHBA-ja riafirmon mbështetjen e saj për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe shpreh gatishmëri për të punuar me qeverinë e re në përparimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur për një kohë të gjatë zhvillimin demokratik të Kosovës dhe presin të punojnë me qeverinë e ardhshme për të avancuar stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien rajonale.”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.