Ambasada e ShBA-së dhe Policia me stërvitje të përbashkët të premten, paralajmërohet për mbyllje të rrugëve e sirena

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

10 dhjetor 2025

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka bërë të ditur se të premten do të organizojë një stërvitje të gjerë të përbashkët me Policinë e Kosovës. Ushtrimi, i cili do të zhvillohet nga ora 15:00 deri në 21:00, do të ketë në fokus menaxhimin e krizave, koordinimin ndërinstitucional dhe procedurat e reagimit emergjent.

Sipas njoftimit, stërvitja është pjesë e angazhimit të përbashkët mes SHBA-së dhe Kosovës për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe rritjen e kapaciteteve të reagimit ndaj situatave të ndryshme të rrezikut. Ambasada thekson se, ndonëse zakonisht ushtrimet e tilla zhvillohen brenda ambienteve diplomatike dhe në shkallë të vogël, marrëdhëniet e fuqishme mes dy vendeve mundësuan realizimin e një operacioni të gjerë dhe praktik në terren.

Gjatë stërvitjes pritet të ketë prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës së SHBA-së në zonat e përfshira në Prishtinë, si dhe pengesa të përkohshme në qarkullim, përfshirë mbyllje të shkurtëra rrugësh sipas udhëzimeve të policisë.

Scroll to Top