Ambasada e Amerikës uron Majoren Luljeta Mehmeti-Quiqley për diplomimin në Akademinë e FBI-së

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

16 dhjetor 2025

Majorja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti-Quiqley, ka përfunduar javën e kaluar sesionin e 296-të të Akademisë Kombëtare të FBI-së në Quantico, Virxhinia, duke shënuar një arritje të rëndësishme në karrierën e saj profesionale.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka uruar Mehmeti-Quiqley për këtë sukses, duke theksuar se ajo është oficerja e dhjetë nga Kosova që përfundon këtë program prestigjioz, i njohur si një ndër trajnimet më elitare për zyrtarët e zbatimit të ligjit në nivel global.

Sipas ambasadës, ky sukses është mundësuar përmes programeve DOJ-ICITAP dhe FBI LEGATT Sofia, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.

Në mesazhin e saj, Ambasada e SHBA-së ritheksoi përkushtimin për të ndërtuar institucione sigurie më të forta dhe më të besueshme në Kosovë.

Scroll to Top