Alarmohet Beogradi/ Janjiq paralajmëron dokument amerikan për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë

Koha e parashikuar e leximit: 5 minuta

20 janar 2026

Dushan Janiq, njëri nga ekspertët e politikave në Ballkanin Perëndimor, ka thënë që në mars ose prill Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të paraqesin një dokument për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se dokumenti në fjalë nuk do të jetë non-paper, dhe kjo i ka frikësuar serbët.

“Pra, në muajin prill, më së largu në muajin maj, është prezantuar draft-marrëveshja për njohjen reciproke nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar ai.

Këtë deklaratë të Janiq e kanë komentuar njohësit e politikës. Ata thonë se pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova ka nisur të largohet nga gjendja kritike, drejt një stabiliteti të qëndrueshëm.

Nga ana tjetër, sipas tyre, aktualisht Beogradi nuk është i gatshëm për njohje formale të Kosovës.

Profesori paralajmëron se pa platformë shtetërore Kosova rrezikon të hyjë në proces si objekt i marrëveshjes

Profesori universitar Prof. Dr. Fejzulla Berisha vlerëson se paralajmërimi i analistit serb Dushan Janjiq duhet trajtuar jo vetëm me kujdes analitik, por edhe si një sinjal strategjik që tregon se diplomacia amerikane mund të jetë duke përgatitur terrenin për një fazë të re të dialogut Kosovë–Serbi.

Ky paralajmërim duhet lexuar si sinjal diplomatik se SHBA-ja po teston një fazë të re të procesit, por realizueshmëria e tij varet nga politika e brendshme e Kosovës, pozicioni real i Serbisë dhe konteksti aktual gjeopolitik global”, thekson Berisha.

Sipas tij, një draft-marrëveshje amerikane në pranverë nuk është i pamundur, por nuk duhet pritur si një dokument ideal për Kosovën.

Historikisht, SHBA-ja ndërhyn në Ballkan kur krizat rrezikojnë stabilitetin rajonal ose kur synon të mbyllë çështje të hapura përpara cikleve të mëdha globale, si Ukraina, Lindja e Mesme apo rivaliteti me Kinën”, shpjegon ai.

Berisha thekson se interesat strategjike të Uashingtonit aktualisht janë të qarta: izolimi i ndikimit rus në Serbi, forcimi i boshtit euroatlantik në Ballkan dhe mbyllja e konflikteve të ngrira.

“Një draft amerikan do të ishte kompromis gjeopolitik i ftohtë, i shoqëruar me presion bilateral, e jo dokument romantik për Kosovën”, vlerëson ai.

Duke folur për realitetin politik në Kosovë, Berisha e cilëson dobësinë institucionale si sfidën kryesore. Ai përmend polarizimin e thellë politik, mungesën e konsensusit shtetëror, diplomacinë kryesisht reaktive dhe mungesën e një platforme të unifikuar shtetërore.

“Në këto rrethana, Kosova rrezikon seriozisht të shndërrohet në objekt të marrëveshjes, e jo në subjekt aktiv të saj”, paralajmëron profesori.

Sa i përket Serbisë, Berisha vlerëson se Beogradi aktualisht nuk është i gatshëm për njohje formale të Kosovës.

Serbia e përdor dialogun për të fituar kohë, aktivizon lidhjet me Rusinë dhe Kinën dhe synon të marrë maksimum koncesionesh pa dhënë njohje substanciale”, thotë ai, duke shtuar se çdo dokument amerikan do të përballet me rezistencë serioze në Beograd, përveç nëse shoqërohet me presion të fortë politik, ekonomik dhe me perspektivë të qartë integruese evropiane.

Sipas Berishës, një draft i tillë mund të jetë njëkohësisht rrezik dhe mundësi për Kosovën.

“Është rrezik nëse Kosova hyn në proces pa platformë shtetërore, pranon logjikën e normalizimit pa njohje të plotë juridike, toleron modele të reja asociacionizmi etnik me kompetenca politike dhe hyn në marrëveshje pa garanci për anëtarësim në OKB”, thekson ai.

Në anën tjetër, ai e cilëson si mundësi historike nëse Kosova kushtëzon njohjen me anëtarësim të plotë ndërkombëtar, e transformon marrëveshjen në akt përmbyllës të shtetësisë dhe siguron garanci amerikane dhe evropiane për sovranitet të pakthyeshëm.

Berisha vë theks të veçantë në përgatitjen e Kosovës, duke e cilësuar atë si kritike.

“Mungesa e përgatitjes do të prodhonte humbje strategjike dhe afatgjata”, paralajmëron ai.

Sipas tij, Kosova duhet të hyjë në proces me një paketë minimale shtetërore kushtesh, që përfshin njohje formale, juridike dhe kushtetuese nga Serbia, anëtarësim automatik në OKB, ndalimin përfundimtar të fushatës së ç’njohjeve, zgjidhjen e çështjes së dëmeve të luftës dhe sigurimin e garancive amerikane të sigurisë, përfshirë integrimin e përshpejtuar në NATO.

Duke e vendosur këtë proces në kontekstin global të luftës në Ukrainë, rritjes së tensioneve ndërkombëtare dhe rivalitetit SHBA–Kinë, Berisha paralajmëron se Kosova nuk duhet të shndërrohet në monedhë shkëmbimi gjeopolitik për një stabilitet artificial.

“Paralajmërimi i Janjiqit tshtë realist si sinjal diplomatik, por i pasigurt në realizim praktik dhe potencialisht i rrezikshëm nëse Kosova hyn e papërgatitur”, përfundon Berisha.

Në fund, ai thekson se nëse Kosova hyn në proces pa platformë shtetërore, do ta humbasë momentin historik, ndërsa nëse hyn me strategji të qartë, mund ta mbyllë përfundimisht kapitullin e konfliktit dhe ta konsolidojë shtetin.

Scroll to Top