Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 dhjetor 2025
Superheronjët e filmave të animuar kanë gëzuar fëmijët në Klinikën e Pediatrisë. Alpinistët të veshur me rrobat e më të dashurve për fëmijët janë lëshuar nga ndërtesa e Pediatrisë për të vazhduar me shpërndarjen e dhuratave.
Aktiviteti humanitar “Superheronjtë në Pediatri”, organizuar nga Klubi “Alpin Prishtina”, u mbajt për të gjashtin vit radhazi, duke u shndërruar në një traditë të qëndrueshme që synon të sjellë gëzim te fëmijët e shtrirë në Klinikën e Pediatrisë.
Përfaqësuesi i klubit, Kristian Gashi, tha se aktiviteti këtë vit është organizuar në përmasa edhe më të mëdha falë mbështetjes së institucioneve dhe sponsorëve të shumtë.
“Qëllimi kryesor është t’i gëzojmë fëmijët sa më shumë. Kemi mbledhur fonde përmes Valës dhe kemi pasur shumë përkrahës e vullnetarë. Falënderim të veçantë kemi për stafin mjekësor,” u shpreh ai.
Në aktivitet mori pjesë edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili uroi fëmijët për shëndet dhe një fundvit të mbarë. Përfaqësuesja e Community Development Fund, Nermine Mahmuti, theksoi se heronjtë e vërtetë janë vetë fëmijët që përballen me sfida shëndetësore, duke shtuar se fondi do të vazhdojë ta mbështesë këtë nismë edhe në vitet e ardhshme.
Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e Bankës Ekonomike, Hamide Pacolli-Gashi, tha se ky donacion është njëra prej veprave më fisnike të bankës, me synim që t’u sjellë buzëqeshje fëmijëve gjatë trajtimit të tyre.
Ndërkohë, mjekja e Pediatrisë, Arbana Baloku-Zenjullahu, theksoi se përveç trajtimit shëndetësor, fëmijët në spital kanë nevojë edhe për përkrahje emocionale dhe përjetime pozitive.
Superheronjtë, të cilët vizituan fëmijët brenda Klinikës, u pritën me entuziazëm edhe nga fëmijët jashtë objektit, të cilëve u shpërndanë dhurata.

















