Komunikata e plotë:
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas hetimeve disa mujore, është ndërmarrë një aksion nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.
Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar 14 lokacione në Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik dhe Klinë dhe janë arrestuar 20 persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale: “Qasje e paautorizuar në kompjuter” dhe “Mashtrim”.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar provat përkatëse si dhe:
· Para të gatshme – rreth 120.000,00 euro;
· Automjete të ndryshme – 5 (pesë);
· Në bankat në Kosovë janë ngrirë mjetet financiare, si dhe pronat e paluajtshme;
· Rreth 30 kompjuterë;
· Rreth 30 telefona;
· Pajisjet e memories;
· Dokumentet dhe provat e tjera lidhur me rastin etj.
Në zbatimin e planit operacional morën pjesë rreth 120 punonjës policie (DHKK, DHKEK, DHKOKR, DHTN, DHTNj, DKT, NjSO, NJRSh, dhe Krimteknika – vendi i ngjarjes). Në operacion morën pjesë edhe zyrtarë gjermanë, prokurorë dhe oficerë policie.
Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, 10 të dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa 10 të dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt.