Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
22 dhjetor 2025
Sipas platformës ndërkombëtare “IQAir”, e cila monitoron cilësinë e ajrit në mbarë botën, Prishtina është renditur si qyteti i 13-të me ajrin më të ndotur globalisht. Indeksi i cilësisë së ajrit ka arritur vlerën 158, nivel që klasifikohet si “i pashëndetshëm”.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se edhe gjatë ditëve në vijim pritet të ketë mjegull të dendur në zonat e ulëta, çka ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e cilësisë së ajrit. Për këtë arsye, autoritetet këshillojnë personat e ndjeshëm të shmangin daljet e panevojshme, ndërsa drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.
Sipas specialistëve të cilësisë së ajrit, situata është shqetësuese për shkak të tejkalimit të grimcave PM2.5 dhe PM10, të cilat qëndrojnë pezull në ajër. Kushtet meteorologjike, si lagështia e lartë, temperaturat e ulëta dhe mungesa e erës, po kontribuojnë ndjeshëm në grumbullimin e ndotjes.
Ekspertët rekomandojnë që grupet më të rrezikuara, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, të kufizojnë sa më shumë qëndrimin jashtë, veçanërisht në orët e mëngjesit, mbrëmjes dhe gjatë natës, kur ndotja është më e theksuar.
Sipas parashikimeve, përmirësim i cilësisë së ajrit pritet nga e mërkura, me ardhjen e reshjeve të shiut dhe ndryshimin e kushteve të motit. Megjithatë, ekspertët shprehin shqetësim për periudhën festive të fundvitit, për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike, të cilat rrisin ndotjen përmes çlirimit të metaleve të rënda në ajër.
Ndërkohë, qytetet me ajrin më të pastër në botë janë renditur Berna, Roterdami, San Francisko, Melbourne, Vancouver, Lisbona dhe Helsinki. Para Prishtinës, qytetet më të ndotura vijnë kryesisht nga Pakistani, India, Egjipti dhe Bangladeshi, ndërsa në rajon më problematike mbeten Beogradi dhe Sarajeva.

















