AARC-ja: Nuk ka sovranitet për Kosovën pa mbështetjen e ShBA-së, të veprohet pa vonesë për krijimin e institucioneve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

13 shtator 2025

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) përmes një reagimi zyrtar ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me pezullimin e Dialogut Strategjik midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

Sipas Këshillit, ky zhvillim duhet të shërbejë si një thirrje për veprim të menjëhershëm për udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës.

Ata bën thirrje që Kushtetuta dhe rendi kushtetues i Kosovë të respektohen, dhe të veprohet pa vonesë për krijimin e institucioneve.

“Për një kohë tani, AARC ka paralajmëruar për një erozion në partneritetin Kosovë-SHBA. Marrëdhëniet diplomatike janë në një pikë të ulët historike, dhe pezullimi i Dialogut Strategjik është shembulli më i fundit dhe më alarmues i këtij përkeqësimi. Ky trend duhet të përmbyset menjëherë. Rindërtimi i besimit dhe partneritetit kërkon koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çdo nivel”, shkruhet në reagimin e tyre.

Ndërkaq, tutje shkruhet se në praktikë, nuk ka sovranitet për Kosovën pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

”Pamundësia dhe mosgatishmëria për t’u angazhuar në dialog ka krijuar polarizim ekstrem në Kosovë. Edhe çështjet që janë përcaktuar dhe zgjidhur qartë nga Kushtetuta janë shndërruar pa nevojë në mosmarrëveshje ligjore dhe kushtetuese. Patriotizmi dhe dashuria për Kosovën nuk do t’i përkasin asnjë individi apo partie politike të vetme. Përkundrazi, qeveritë – qofshin ato që veprojnë në cilësinë e kujdestarit apo si të plotfuqishme – dhe partitë politike kanë detyrimin të udhëheqin me përgjegjësi dhe të krijojnë një mjedis për dialog politik. Çështjet e sovranitetit, detyrimeve ndërkombëtare, pavarësisë dhe interesave të tjera jetësore shtetërore i përkasin të gjithë popullit të Kosovës, jo vetëm një partie apo qeverie”.

Ndër të tjerash, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) thekson se “shpirti pro-amerikan i popullit të Kosovës nuk duhet të manipulohet ose keqpërdoret kurrë.

Scroll to Top