Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
14 nentor 2025
Kryetari i degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, ka deklaruar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duhet të shqyrtojë me seriozitet mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të sigurohet stabilitet institucional.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Krasniqi tha se kandidimi i Glauk Konjufcës për kryeministër ka ndryshuar balancat politike në vend, duke kërkuar një qasje më të matur dhe larg interesave partiake.
“Aleanca duhet ta marrë me përgjegjësi mundësinë e bashkëpunimit, sidomos nëse kjo e hap rrugën për stabilitet institucional, shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes së presidentit. Nëse VV dhe z. Konjufca janë të sinqertë, besoj se Aleanca dhe kryetari Haradinaj do të marrin vendimin e duhur, si gjithmonë kur bëhet fjalë për të mirën e Kosovës”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka theksuar se sot kërkohet mençuri, jo retorikë boshe.
“Kërkohet stabilitet, jo tension. Kërkohet vendim, jo improvizim. Kosova ka nevojë për drejtim të qartë, dhe kjo është koha kur burrat e shtetit duhen parë në vepër,” ka shtuar ai.

















