Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
26 nentor 2025
Partitë politike që dolën nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për dhjetë muaj me radhë nuk arritën të formojnë institucionet e reja, duke e futur vendin në një ngërç të zgjatur politik. Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve me 48 deputetë, u përpoq të udhëhiqte procesin, mosmarrëveshjet për ndarjen e posteve drejtuese, mungesa e shumicës së qëndrueshme parlamentare dhe pozicionimet e palëkundura të subjekteve politike e bënë të pamundur krijimin e Qeverisë.
Edhe konstituimi i Kuvendit në tetor nuk ndryshoi situatën, pasi LVV-ja dështoi dy herë radhazi të siguronte votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit. Në këto kushte, zgjedhjet e reja u konsideruan si e vetmja zgjidhje ligjore për të dalë nga bllokada, dhe u caktuan të mbahen më 28 dhjetor.
Megjithatë, mbetet dyshimi nëse raundi i ri zgjedhor do të sjellë stabilitetin e shumëkërkuar. Ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, thekson se sistemi politik në Kosovë funksionon vetëm përmes kompromisit dhe bashkëpunimit mes partive.
“Sistemi politik në Kosovë është i tillë që kërkon koalicione para dhe pas zgjedhore për të garantuar një Qeveri stabile”, deklaroi ai për RTV21. Sipas Prenkajt, bllokada dhjetëmujore ka dëmtuar seriozisht Kosovën, si në arenën e brendshme politike ashtu edhe në atë ndërkombëtare, duke e lënë vendin jashtë disa proceseve kyçe rajonale dhe mundësive të financimit.
Edhe profesori i shkencave politike, Basri Muja, vlerëson se ngërçi institucional duhet të shërbejë si një mësim i rëndësishëm për spektrin politik. Ai nënvizon se partitë duhet të braktisin logjikën e përplasjes dhe të ndërtojnë kulturë dialogu.
“Kompromisi nuk është dobësi, por minimumi që kërkohet për interesin e shtetit. Pas zgjedhjeve, partitë duhet të ulen dhe të veprojnë në mënyrë racionale”, tha Muja. Ai shtoi se respektimi i vullnetit të qytetarëve është detyrimi i parë i çdo partie politike.
Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se mungesa e konsensusit mund të sjellë vonesa në formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re, duke rrezikuar vazhdimin e pasigurisë institucionale edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

















