“7 Arte” fiton të drejtën t’i mirëpres 200 organizata kulturore në Mitrovicë në vitin 2027

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 qershor 2025

Organizata kulturore “7 Arte” nga Mitrovica është përzgjedhur nga Kuvendi i Përgjithshëm i rrjetit evropian “Trans Europe Halles” për të organizuar edicionin e vitit 2027 të “TEH Camp Meeting” – një ndër ngjarjet më të rëndësishme të bashkëpunimit kulturor në Evropë.

Sipas burimeve të Telegrafit, Mitrovica do të jetë nikoqire e rreth 200 organizatave kulturore nga mbi 40 vende të Evropës, duke e kthyer qytetin në një pikëtakim të rëndësishëm për rrjetëzimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kulturor.

“Ky është një moment historik për organizatën ‘7 Arte’, por edhe për gjithë skenën e pavarur kulturore në Kosovë. Ngjarja pritet të sjellë mundësi të shumta për promovimin e kulturës lokale, zhvillimin e ekonomisë kreative dhe rigjallërimin e Mitrovicës në të dy anët e lumit Ibër”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Më tej thuhet se “Trans Europe Halles” është një rrjet me rreth 200 qendra kulturore të pavarura, që mbështet transformimin e hapësirave të braktisura në qendra të gjalla për artin dhe komunitetin.

“Përmes kampit të vitit 2027, 7Arte synon ta vendos Mitrovicën në hartën evropiane të qendrave kulturore, duke i shndërruar hapësirat kulturore e publike në një burim të ri për zhvillim të qëndrueshëm, kreativitet dhe bashkëjetesë. Qëndroni me ne – ura të reja po ndërtohen!”, thuhet tutje në njoftim.

Scroll to Top