Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Murat Dernjani, i njohur si pjesëtar i grupit terrorist ISIS, është dënuar sot me 20 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për krime kundër njerëzimit.
Aktgjykimi u shpall gjatë një seance të mbyllur, ku u theksua se dëshmitë e viktimave dhe dëshmitarëve, përfshirë edhe ato të lexuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, kanë qenë të qëndrueshme dhe të ndërlidhura mes tyre.
Ky nuk është dënimi i parë për Dernjanin. Në vitin 2019, ai ishte dënuar me 5 vjet burgim për vepra që lidhen me terrorizëm. Në atë kohë, ai kishte pranuar fajësinë për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Udhëtimi drejt ISIS-it
Sipas dosjes gjyqësore, Dernjani kishte udhëtuar nga Kosova në vitin 2013 drejt Turqisë, me qëllim që t’i bashkohej grupeve terroriste në Siri. Nga muaji mars 2013, ai kishte udhëtuar me vetëdije dhe me qëllim të qartë për t’iu bashkuar organizatës ISIS.
“Pas një kohe, së bashku me bashkëshorten A.D. dhe djalin e tij, janë vendosur në qytetin Kilis në juglindje të Turqisë, pranë kufirit me Sirinë, prej nga më pas kanë hyrë ilegalisht në Gaziantep dhe janë bashkuar me organizatën terroriste ISIS, e cila vepron në Siri dhe Irak”, thuhej në aktakuzë.

Ai ishte pajisur me armë dhe municion dhe kishte qëndruar në Siri deri në gusht të vitit 2017. Pas tërheqjes nga organizatat terroriste, Dernjani i ishte dorëzuar autoriteteve turke dhe më pas ishte kthyer në Kosovë.
Me vendimin e sotëm, Dernjani përballet tani me dy dënime të ndara për vepra të rënda që lidhen me terrorizmin, ndërsa dënimi i fundit reflekton seriozitetin e përfshirjes së tij në krime kundër njerëzimit.