126 vjet nga Lidhja e Pejës

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

23 Janar 2025

Sot mbushen 126 vjet nga themelimi i Besëlidhjes së Pejës. Në fund të shekullit 19-të tokat e banuara me shqiptarë u vunë nën rrezik, pasi fqinjët ballkanikë filluan aktivisht agresive për të pushtuar territoret e Maqedonisë, që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike.

Territori i kontestueshëm i përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare. Patriotët shqiptarë filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896.

Takimi i parë u mbajt në mars 1897, në Gjakovë kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt edhe një takim tjetër në Pejë, ku morën pjesë 500 veta pas së cilës Stambolli intervenoi dhe shpërndau Besëlidhjen.

Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.

Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet e Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi.

Lidhja e re shqiptare u krijua pas një pune të madhe përgatitore, organizative e politike, që atdhetarët shqiptarë brenda vendit, të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe shoqëritë patriotike jashtë atdheut, sidomos ato të Bukureshtit dhe Komiteti Shqiptar i Stambollit, bënë në fundin e vitit 1898 dhe në janar të vitit 1899.

Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjëra të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Vushtrri, Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar lidhjen.

Këto mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, Manastirit e të Janinës, tregojnë se organizatorët e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve, myslimanë, katolikë e ortodoksë.

Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, Dibrës, Prishtinës, Pazarit të Ri, si edhe të Shqipërisë së Jugut, kërkonin që të thirrej sa më shpejt kuvendi që po përgatitej për organizimin e shqiptarëve në një lidhje të përgjithshme.

Scroll to Top