Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
14 qershor 2025
Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK gjatë muajve të parë të vitit 2025 janë kryer 176 ndërhyrje në gjoks, prej të cilave 125 dolën me diagnozë të kancerit të gjirit.
Këto të dhëna i bëri të ditura drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci, në intervistë për Ekonomia Online, duke vënë në pah edhe suksesin e zbatimit të një metode të re që ka shmangur heqjen e gjirit për një numër pacientesh.
“Gjatë muajve të këtij viti 2025 ne kemi pasur ndërhyrje në gji në 176 raste. Prej tyre kanë rezultuar 125 me kancer të gjirit. E veçanta e këtij viti është se kemi pasur disa pacientë që është bërë kursimi i tij, do të thotë heqjes komplet të gjirit. Kjo për arsye se ne kemi filluar me metodën Sentinel, që ka rezultuar diku me 22 raste që në të kaluarën i është dashur t’u bëhet heqja komplet e gjirit, në këtë vit për shkak të këtij intervenimi dhe për shkak të kësaj metode ne kemi kursyer në 22 raste të kancerit të gjirit”, tha Kolgeci.
Ai sqaroi se trendi i kancerit të gjirit ka pasur luhatje nga muaji në muaj, por vërehet një rritje krahasuar me vitet e kaluara.
”Rritja tash ndryshon nga muaji në muaj. Kur të bëhet mbledhja komplet e vitit, atëherë mund të japim një shifër të saktë, por përndryshe shifrat që janë 5- 6 raste plus- minus nuk i marrim si një rritje të kancerit të gjirit. Por, shikuar të kaluarën dhe vitet që i kemi përcjellë, atëherë ka qenë një trend i rritjes së kancerit të gjirit. Edhe kjo, për shembull, nga viti i kaluar në vitin tjetër, ka qenë rreth 11 raste më shumë sesa viteve të kaluara. Do të thotë në vitet 2023-2024. Muaji i kancerit të gjirit është muaji, kur është numri i pacientëve shumë i madh dhe zbulimi i kancerit është po ashtu shumë më i madh dhe atëherë ajo mund të ndryshojë komplet situatën që e kemi”, tha.
Sipas Kolgecit, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kancerit të gjirit janë të ndryshëm, ku përveç predispozitës gjenetike, ndikim të madh kanë mënyra e jetesës dhe ushqimi.