WhatsApp Image 2024 10 24 at 11.33.17

FIFA publikon renditjen botërore: Shqipëria fiton dy pozicione, Kosova ngjitet me tre shkallë

FIFA, organi botëror i futbollit ka përditësuar paraditen e së enjtes renditjen e ekipeve kombëtare.

Shqipëria ngjitet me dy pozicione dhe mban vendin e 65-të, ndërsa edhe Kosova ka ngjitur tre shkallë duke qenë në vendin 101.

Ndërkohë Argjentina vijon të jetë në krye, me kampionët e botës në fuqi që ndiqen nga Franca. Bie në sy ngjitja e Italisë me një pozicion dhe qëndrimi i Gjermanisë dhe Kroacisë jashtë dhjetë ekipeve më të mira kombëtare në botë.

Shqipëria dhe Kosova

Dy ndeshjet e fundit të Kombëtares (humbja me Çekinë dhe fitorja me Gjeorgjinë) kanë bërë që kuqezinjtë të fitojnë dy pozicione në renditjen botërore. Tanimë tanët mbajnë vendin e 65-të duke lënë pas vetes emra si Gjeorgjia, Finlanda, Islanda, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi.

Ngjitje edhe për Kosovën, e cila nga vendi i 104 pozicionohet në atë të 101, pas tre fitoreve radhazi në Ligën e Kombeve. Ecuria e mirë e Dardanëve po shpërblehet, me përfaqësuesen e Kosovës që ka një përballje kundër Rumanisë në nëntor për kreun e grupit.

Ndërkohë, kombëtarja shqiptare luan kundër Çekisë dhe Ukrainës më 16 dhe 19 nëntor në ‘Air Albania’ dy ndeshjet e fundit në Grupin B1 dhe është në garë për kreun e tabelës.

Dhjetë vendet e para

Në krye të ekipeve më të mira kombëtare vijon të jetë Argjentina me 1883 pikë, ndjekur nga Franca me një diferencë të madhe. Ndërkohë që më pas vijnë Spanja, Anglia, Brazili dhe Belgjika. Një pozicion ka fituar Portugalia dhe Italia, teksa Holanda dhe Kolumbia kanë rënë me një vend. Edhe pse ka fituar dy pozicione nga paraqitjet e fundit, Gjermania është jashtë dhjetëshes më të mirë dhe për momentin mban vendin e 11-të në botë.

Scroll to Top