WhatsApp Image 2024 10 23 at 15.25.59

DASH reagon pas arrestimit të ish-presidentit: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë

Qëndrimi i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.

Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Zoti Meta, ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, zoti Xhixho dhe zonja pritet të dalin nesër para gjykatës në një seancë ku do të shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre.

Krahas akuzave nga SPAK-u për zotin Meta, të martën vazhduan reagimet mbi mënyrën se si u ndalua të hënën në mesditë nga policia ish presidenti i Republikës, i cili e cilësoi ngjarjen si “rrëmbim në mënyrë banditeske”.

Por ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, deklaroi në rrjetet sociale se forca lëvizëse operacionale, e specializuar për ndalime sipas standarteve, gjatë zbatimit të vendimit të gjykatës ndeshi me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.

SPAK-u detajoi të hënën në një njoftim publik se Ilir Meta e Monika Kryemadhi, në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë, dyshohet se kanë kryer korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurish në një seri episodesh, që nisin nga afro 15 vjet më parë./ VOA

Scroll to Top