Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali, u takua sot me Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana, dhe me Presidentin e Senatit, Ignazio La Russa.
Kryetarja Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë dhe angazhimin për thellimin e Partneritetit Strategjik, bazuar në marrëdhëniet e qendrueshme historike, kulturore, ekonomike dhe njerëzore mes vendeve e popujve tanë.
Znj. Spiropali u shprehu Presidentit Fontana dhe Presidentit La Russa mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe bindjen për vijimin e kësaj mbështetjeje edhe gjatë zhvillimit të negociatave, pas Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të 15 tetorit.
Marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore dhe pensioneve, e cila pritet të ratifikohet së shpejti nga Dhoma dhe Senati Italian,tregon se bashkëpunimi mes parlamenteve, qeverive e institucioneve të të dy vendeve u shërben qytetarëve.
Protokolli për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit është një angazhim i Shqipërisë për frenimin dhe kontrollin e emigrimit të parregullt si edhe kontribut për zgjidhjen e problemeve në sistemin global të emigracionit.
Si partnerë dhe aleatë në NATO, me një të ardhme të përbashkët në BE, Shqipëria dhe Italia ndajnë qëndrime të përbashkëta në çështjet e politikës ndërkombëtare dhe mbrojtjen e paqes.
Kryetarja Spiropali dhe Presidentët Fontana dhe La Russa vlerësuan rolin e komunitetit shqiptar në Itali, të komunitetit arbëresh dhe diasporës së re si edhe të qytetarëve italiane në Shqipëri, si ura bashkëpunimi e miqësie mes dy vendeve.
Marrëdhëniet ndërparlamentare intensive mes Kuvendit dhe Dhomës së Deputëtëve e Senatit të Italisë nxisin bashkëpunimin mes qeverive, institucioneve dhe qytetarëve.
Kryetarja Spiropali dhe Presidentët Fontana e La Russa diskutuan edhe për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik me Italinë, si partneri i parë tregtar dhe një nga donatorët kryesorë dypalësh të Shqipërisë.