Si po zhduket Shqipëria nga harta e përparësive strategjike të Uashingtonit

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

12 shtator 2025

Në një kohë kur disa shtete ballkanike po bien nën hije dhe mbështetja ndërkombëtare për to po zbehet, Mali i Zi kthehet fuqishëm në axhendën e politikës së jashtme amerikane…

Një zhvillim me rëndësi strategjike ka ndodhur në Uashington, i cili sinjalizon se Mali i Zi nuk është harruar nga partnerët euroatlantikë në axhendën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kongresmenët amerikanë Mike Turner (Republikan) dhe Chellie Pingree (Demokrate), kanë paraqitur një rezolutë dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve që fton administratën amerikane të mbështesë publikisht dhe me mjete konkrete anëtarësimin e Malit të Zi në BE.

Shtetet e Bashkuara janë ende të gatshme të investojnë politikisht dhe diplomatikisht në ato vende që mbeten të përkushtuara ndaj reformave, vlerave euroatlantike dhe kundër influencës autoritare që përhapet nga Lindja.

Kjo rezolutë për Malin e Zi nuk është vetëm një përkrahje morale apo retorike; është një shenjë konkrete e rikthimit të vëmendjes amerikane në një shtet të vogël, por me rëndësi strategjike në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë, në këtë ring të vogël diplomatik, Shqipëria duket se nuk është më pjesë e lojës.

Ndërsa Kongresi amerikan artikulon qartë qëndrimin e tij për Malin e Zi, për Shqipërinë nuk ka as rezoluta, as deklarata dypartiake, as ndonjë përpjekje për ta kthyer vendin në prioritet të politikës së jashtme amerikane.

Në vend të angazhimeve konkrete, Shqipëria ka rënë në një qetësi strategjike, një lloj harrese diplomatike ku mungesa e kritikës nuk është kompliment, por indiferencë. Asnjë dokument zyrtar në muajt e fundit nuk e ka vendosur Tiranën në qendër të ndonjë debati serioz në Uashington. Kjo është e frikshme për një vend që historikisht është vetëdeklaruar si aleati më besnik i Amerikës në Ballkan. Por aleancat nuk janë njëanshme dhe nuk mbijetojnë vetëm me retorikë.

Ndryshe nga Mali i Zi, i cili edhe në kushtet e krizave të brendshme ka ditur të mbajë një kurs të qartë pro-perëndimor, të kontribuojë në misione të NATO-s, të respektojë sanksionet ndaj Rusisë dhe të investojë në reforma, Shqipëria është mbyllur në një cikël të pafund me retorikë propagandistike, institucione të politizuara dhe drejtësi selektive.

Ndërsa Podgorica vlerësohet për luftën kundër ndikimeve hibride dhe për përputhjen me politikat euroatlantike, Tirana duket e fiksuar pas imazhit të jashtëm, por e zbrazët në përmbajtje. Kjo zbrazëti tashmë po reflektohet në mënyrën si SHBA e lexon rajonin.

Në një kohë kur Ballkani është bërë fushëbetejë midis Perëndimit dhe Lindjes, kur Rusia dhe Kina kërkojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre përmes grupeve politike, mediave të kontrolluara dhe investimeve me interes të dyshimtë, Shtetet e Bashkuara po bëjnë diferencimin mes aleatëve realë dhe atyre që e përdorin perëndimin si dekor. Dhe në këtë filtrim të ri, Mali i Zi është futur në listën e mbështetjes, ndërsa Shqipëria është zhdukur nga harta e prioriteteve.

Rezoluta e Kongresit për Malin e Zi është një mesazh për Bashkimin Evropian, por edhe një vlerësim politik për atë çka vendet e Ballkanit kanë arritur ose jo. Ajo është një kujtesë që mbështetja ndërkombëtare nuk është e përjetshme dhe se reputacioni diplomatik matet me veprime, jo me fjalë.

Në këtë kontekst, heshtja e Uashingtonit ndaj Shqipërisë është më e zhurmshme se çdo deklaratë. Është një thirrje për reflektim, ose më keq, një shenjë që loja ka përfunduar dhe aleatët e dikurshëm janë zëvendësuar me partnerë më seriozë.

Scroll to Top