Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
12 shtator 2025
Nga Marrëdhëniet me Publikun e Flotës së 6-të të SHBA-së
Anija kryesore e Flotës së 6-të të SHBA-së, USS Mount Whitney (LCC 20), mbërriti në Porto Romano, Durrs, Republika e Shqipërisë, më 9 shtator 2025, për një vizitë të planifikuar në port, duke theksuar partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, një aleat kyç i NATO-s.
Mbërritja e anijes “Mount Whitney” vjen pas një vizite në Shqipëri nga Admirali i Marinës Amerikane, Stuart Munsch, Komandant i Forcave Detare Amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, ku ai u takua me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të diskutuar partneritetin e fortë të sigurisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe angazhimin ndaj Aleancës së NATO-s.
Gjatë vizitës së Mount Whitney, anija organizoi një pritje për vizitorë të shquar, përfshirë Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj; Kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali; Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu; Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Igli Hasani; dhe Shefin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji.
“Shqipëria vazhdon të jetë një partnere jetësore në operacionet e NATO-s dhe vizita jonë në Porto Romano nënvizon forcën e asaj aleance”, tha kapiteni i Marinës Amerikane Colin Price, komandant i USS Mount Whitney. “Ekipi 20 është i nderuar që është këtu dhe që vazhdon të ndërtojë lidhje të qëndrueshme me aleatët tanë shqiptarë.”
Mount Whitney është anija e parë luftarake e Marinës Amerikane që hyn në Porto Romano në Durrës, Shqipëri, duke shënuar fazën tjetër në modernizimin ushtarak të Shqipërisë.

“Shtetet e Bashkuara e duartrokasin dhe e inkurajojnë plotësisht zhvillimin e një baze detare me kapacitete portuale mallrash në ujëra të thella, pikërisht këtu në Porto Romano, nga Shqipëria”, tha e Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Nancy VanHorn, e cila mbajti fjalën në pritje. “Investimi i Shqipërisë në fortifikimin e Porto Romanos do t’i tregojë rajonit – dhe të gjithë Evropës – aftësinë e Shqipërisë për të qenë një lidere e vërtetë në Aleancën e NATO-s.”
Si anija kryesore e Flotës së 6-të të SHBA-së, Mount Whitney mbështet luftëtarët detarë për të penguar kundërshtarët rajonalë, për të kryer operacione detare në mbrojtje të atdheut dhe për të mbrojtur sovranitetin e partnerëve dhe aleatëve tanë në Evropë dhe Afrikë.
Anija “Mount Whitney”, e dislokuar në Gaeta të Italisë, operon me një ekuipazh të kombinuar marinarësh amerikanë dhe marinarësh të shërbimit civil të Komandës Ushtarake të Transportit Detar në zonën e operacioneve të Flotës së 6-të të SHBA-së në mbështetje të interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Evropë dhe Afrikë.
Komandanti i Flotës së 6-të të SHBA-së, me seli në Napoli të Italisë, kryen të gjithë spektrin e operacioneve të përbashkëta dhe detare, shpesh në bashkëpunim me partnerët aleatë dhe ndëragjenci për të çuar përpara interesat kombëtare të SHBA-së, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe Afrikë, si dhe lirinë e lundrimit në dhe përreth Mesdheut.