Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 shtator 2025
Më shumë se dy milionë persona janë evakuuar nga provinca Punjab në Pakistan, ndërsa përmbytjet e rënda kanë përfshirë pjesën lindore të vendit, sipas autoriteteve lokale.
Shefi i Menaxhimit Kombëtar të Fatkeqësive, Inam Haider Malik, deklaroi për gazetarët se situata është alarmante dhe se 150 mijë të tjerë janë evakuuar në provincën Sindh. Malik paralajmëroi se numri i të prekurve pritet të rritet në ditët në vijim, raportoi BBC.
Sipas një përditësimi të fundit të publikuar nga International Medical Corps, që nga fundi i muajit qershor, përmbytjet kanë shkaktuar vdekjen e mbi 900 personave në mbarë vendin.
Shirat e rrëmbyeshëm kanë bërë që lumenjtë të derdhen përtej shtratit, duke përmbytur fshatra dhe qytete të tëra. Përmbytjet në Pakistan janë bërë më të shpeshta dhe më të rënda për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat po ndikojnë në intensitetin e reshjeve.
Megjithatë, kritikët fajësojnë gjithashtu mungesën e investimeve nga ana e qeverisë, sidomos në infrastrukturë mbrojtëse dhe sisteme paralajmërimi të hershëm, të cilat mund të kishin reduktuar pasojat tragjike të fatkeqësisë.
Shirat e dendura pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërkohë që autoritetet pakistaneze përballen me një krizë humanitare në rritje dhe kërkojnë ndihmë ndërkombëtare për të menaxhuar situatën.