Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 shtator 2025
Ka nisur me Himnin Kombëtar seanca e parë e legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë.
140 deputetë ulen sot në sallë, mes tyre 72 që hyjnë për herë të parë. PS hyn me 83 deputetë, nga të cilët 53 i ka emra të rinj, ndërsa PD dhe aleatët me 50 deputetë, 14 prej tyre prurje të reja. PSD hyn me 3 deputetë, partia Mundësia me 2 deputetë, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet me nga një deputet.
Seancën e sotme e drejton deputeti socialist Vasil Llajo, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan të marrin këtë detyrë si deputetët më të moshuar.
Seanca ka nisur me Himnin Kombëtar.
Në seancën e parë pritet të ngrihet komisioni i përkohshëm i verifikimit të mandateve. 140 deputetë të zgjedhur nga qytetarët do të betohen mbi Kushtetutën e Shqipërisë për përgjegjësitë përfaqësuese dhe ligjvënëse.
“Sot, sipas Kushtetutës, më është besuar detyra për të hapur këtë seancë. Ky është një moment solemn, sepse këtu fillon kapitulli i katër viteve të ardhshme, ku do të shkruhet historia e vendit tonë,” u shpreh Llajo në nisje të seancës.
Ai vuri në dukje faktin se më shumë se gjysma e deputetëve janë për herë të parë në këtë Kuvend, një element që e konsideroi si simbol të rinovimit politik dhe pritshmërive të reja nga qytetarët.
“Qytetarët nuk duan fjalë të kota, por rezultate që ndihen në shërbimet e tyre të përditshme”, tha ai.
Llajo pranoi se në sallën e Kuvendit do të ketë gjithmonë ndarje politike dhe ideologjike, por nënvizoi se misioni më i madh i kësaj legjislature është përmbushja e aspiratës europiane të Shqipërisë.
“Jemi më pranë se kurrë anëtarësimit në BE. Ky është një mision historik i kësaj legjislature, që të tregojë se Shqipëria është gati të ulet në tryezën e Bashkimit Europian. Ky nuk është mision i një partie, por një mision kombëtar, për të cilin do të na gjykojnë brezat që vijnë,” tha ai.
Seanca po ndiqet edhe nga diplomacitë e huaja.