Osmani: Shëndeti mendor nuk duhet të jetë temë që heshtet, por prioritet i përditshëm

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 shtator 2025

Në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Parandalimit të Vetëvrasjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është bashkuar me nismën e Linjës së Jetës për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit mendor dhe parandalimit të vetëvrasjes.

“Kam pasur nderin t’i bashkohem kësaj nisme me qëllim të ngritjes së vetëdijes për një nga kauzat më të ndjeshme të shoqërisë sonë”, tha Presidentja Osmani.

Ajo theksoi se dhimbja nuk duhet të fshihet me heshtje dhe se askush nuk duhet të ndihet i vetëm.

“Sot dhe çdo ditë riafirmojmë përkushtimin tonë për të ndërtuar një shoqëri ku dhimbja nuk mbulohet me heshtje, dhe ku çdo njeri ndjen se kurrë nuk është vetëm”, theksoi Osmani.

Duke e cilësuar shëndetin mendor si një çështje thelbësore për mirëqenien e qytetarëve, Osmani nënvizoi nevojën për ta trajtuar këtë temë me seriozitet dhe përkushtim të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.

“Shëndeti mendor nuk duhet të jetë temë që heshtet, por prioritet i çdoditshëm,” u shpreh ajo.

Scroll to Top