Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
11 shtator 2025
Propozimi i hedhur nga Rama duket se ka kapur të papërgatitur ministren e Arsimit, ndërsa Kreu i PS-së tha “e di që nuk do të ma falësh këtë moment”…
Kryeministri Edi Rama nga Asambleja e Partisë Socialiste njoftoi shkarkimin e Erion Veliaj si Kryebashkiak i Tiranës, ndërsa shpalli Ogerta Manastirliun si kandidaturën për Bashkinë e Tiranës.
“Sot duhet të marrim një vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kreytar të ri bashkie në Tiranë. Tirana s’mund të jetë më një trup pa kokë”, tha Rama.
Rama vlerësoi Ogerta Manastirliun kandidaten e duhur që i duhet Tiranës, ndërsa theksoi se do të kërkohet mbështetja e qytetarëve të kryeqytetit për të mandatuar atë si kryebashkiake.
“Ogerta Manastirliu njeriu që i duhet sot Tiranës. Është forca e qetë e tironses dem baba dem”, tha Kreu i PS.
Propozimi i hedhur nga Rama duket se ka kapur të papërgatitur ministren e Arsimit, ndërsa Kreu i PS-së tha “e di që nuk do të ma falësh këtë moment”.
“Partia Socialiste nuk ka më as si pret as ça pret për ta rivënë lokomotivën në lëvizje. Duhet të më besosh ti dhe të më besojnë të gjithë, nuk kemi ku dhe si e kërkojmë një profil dhe person më të përshtatshëm për t’i kërkuar popullit të Tiranës mbështetjen e tij dhe për ti dhënë lokomotivës së Shqipërisë shpejtësinë e saj më të madhe.
Kështu që është radha jote e nderuar dhe e dashur Ogerta ta udhëheqësh Tiranën me ambicien qetësinë që ta ka karakterizuar në të gjitha detyra sfiduese ku ke spikatur gjerë tani. Ndërsa detyra jonë është të mbështesim fillimisht duke u vënë në rresh pas teje për të marrë votëbesimin e mëritura nga komuniteti i madh i kryeqytetit për kandidaturën bindëse të PS”, tha Rama.
Urdhri për shkarkimin e Veliajt
Pak përpara se të shpallte kandidaturën e Manastirliut, Edi Rama udhëzoi anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës që të shkarkonin Erion Veliajn si kryebashkiak.
“Pas 7 muajsh nuk ka kryetar, asnjë kryetar të votuar në krye të detyrës, asnjë kryetar të dënuar nga drejtësia, kemi një kryetar të zgjedhur nga populli, të cilit i është mohuar e drejta e gjykimit në liri, i është bërë një gjyq i gjatë pasqyrat e pazarit mediatik, dhe një shkelje e hapur e ligjit dhe çdo zakoni i atij xhevahiri nga brenda atij tezge dhe biseda me familjarë nga telefoni i burgut.
Kjo nuk ndodh në asnjë vend, në asnjë vend demokratik, diktatorial jo e jo, shkelja ka qenë më e hapur, më brutale, në shpërdorim total të detyrës, nga ata të tre që duhet të mbajnë nën kontroll materialet hetimore, por kjo është temë tjetër.
Askush nuk di ta thotë sa mund të zgjasë kjo histori, ndërkohë që asnjë zëvendës i pavotuar i popullit, i kryetarit të bashkisë, nuk mund ta ketë legjitimitetin demokratik dhe forcën e brendshme, për ta udhëhequr 2 vjet bashkinë e kryeqytetit të vendit. Tirana ka punë të mëdha, të panumërta, ditë dhe natë. Nuk i heq asnjë meritë kryetarit në detyrë për çfarë ka bërë në këto 7 muaj. E falënderoj. Por sot ne duhet të marrim vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar bashkie të ri në Tiranë”, tha ai.