Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
09 shtator 2025
Trajneri i Letonisë e pranon se me kuqezinjtë ka diferencë, por ndihet optimist.
Trajneri i Letonisë, Paolo Nicolato, parashikon një përballje të vështirë ndaj Shqipërisë. Por ai vë në dukje dëshirën e lojtarëve të tij për fitore.
Te Letonia janë pozitivë për takimin kundër Shqipërisë, por edhe realistë.
Trajneri i kombëtares baltike, Paolo Nicolato, e pranoi se sfida kundër Serbisë e kishte lodhur skuadrën e tij. Për më tepër, Letonia vjen pas një humbjeje në Riga dhe tani ekipi ka nevojë për punë, që të jetë gati për përballjen ndaj kuqezinjve.
“Ne na duhet që të rikuperojmë energjitë pas ndeshjes së kaluar kundër Serbisë. Nuk bëmë një paraqitje shumë të mirë, e tani ne duhet që të vazhdojmë të punojmë. Objektivi është që të përmirësohemi. E dimë se mund të bëjmë më mirë, në grup ka pozitivitet. Por të kuptohemi, ka diferencë në renditje mes nesh dhe Shqipërisë. Nëse ata ndihen nën presion, kjo na favorizon. Është mirë për ne, që te Shqipëria mendojnë se nuk do ta kenë të lehtë!”
Tekniku italian shtoi se skuadra ka nevojë që të rregullojë disa gjëra, por futbollistët e tij kanë dëshirë që të bëjnë mirë në “Air Albania”.
Mbrojtësi i Letonisë, Daniels Balodis, e pranoi se rezultati ndaj kombëtares serbe nuk ishte i mirë, por tani me Shqipërinë ka optimizëm.