Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 shtator 2025
Vrasje në qendër të Shkodrës, Kristian Kola qëllohet për vdekje jashtë “Kinema Republika”! Autorët me skafandra largohen me motor në drejtim të paditur
Qyteti i Shkodrës u trondit mbrëmjen e së enjtes nga një atentat mafioz. 34-vjeçari Kristian Kola ishte duke pirë kafe në mes të qytetit, në një lokal te ‘Kinema Republika’, kur dy autorë kanë qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend.
I riu ka qenë duke pirë kafe në ambientet e jashtme të lokalit, kur dy autorët me motor dhe skafandra në kokë, janë afruar dhe kanë qëlluar në drejtim të tij. Pasi e qëlluan disa herë, dy autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes pa lënë gjurmë. Plumbat e kanë kapur të riun në pjesën e gjoksit dhe rezultuan fatal. 34-vjeçari deri më tani nuk rezulton një person me precedentë të mëparshëm kriminal, por dyshohet se më herët ka qenë autor i një plagosjeje.
Efektivë të shumtë kanë rrethuar vendin e ngjarjes dhe një grup hetimor është ngritur për zbardhjen e saj. Atentati ka ndodhur në mes të qytetit, një zonë e mbushur me kamera sigurie, të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor për të zbardhur dinamikën e plotë dhe për të rënë në gjurmët e autorëve.
Kristian Kola 34 vjeç ka mbetur viktimë e një atentati të ndodhur pranë ambienteve të “Kinema Republika” në qendër të qytetit.
Burime për media kanë bërë me dije se kanë qenë dy persona me motor të zi dhe me skafandra në kokë që kanë qëlluar në drejtim të 34-vjeçarit e më pas janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.