Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
03 shtator 2025
Materiali kryesor i ndërtimit përbëhet nga gurë të mëdhenj të punuar, të cilët janë marrë nga gurore larg lokalitetit.
Një zbulim arkeologjik i rrallë ka dalë në dritë në fshatin Strikçan të Bulqizës, ku gjatë punimeve të kryera në kuadër të projektit “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, nën drejtimin e akademik Adem Bungurit dhe MSc. Erikson Nikolli, është gjetur një varr monumental i periudhës romake, i pari i këtij lloji në vend.
Varri ka dimensione të jashtëzakonshme, rreth 9 metra gjatësi dhe 6 metra gjerësi, me një dhomë funerare 2.40 metra e lartë. Monumenti përvec arkitekturës të veçantë përmban të dhëna të rëndësishme arkeologjike dhe epigrafike.
Për herë të parë është zbuluar një mbishkrim romak bilingual në zonën e Dibrës, dedikuar individit të varrosur në këtë varr, të quajtur Gelliano, dhe një dedikim për perëndinë Jupiter.
Edhe pse varri është grabitur që në lashtësi, ai ruante ende pjesë të inventarit, përfshirë:
- enë qelqi të ndryshme,
- krehër prej kocke,
- thika,
- dhe një pjesë të madhe të tekstilit të thurur me fije ari, me të cilin ishte varrosur individi.
Monumenti është i konceptuar në tre ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe shkallë monumentale, ku muret e shkallës janë të dekoruara me motive gjeometrike në stuko që ruhen ende.
Përveç pjesës nëntokësore, arkeologët kanë evidentuar edhe struktura murature në sipërfaqe, që sugjerojnë se varri mund të ketë qenë i tipit mausoleum.
Materiali kryesor i ndërtimit përbëhet nga gurë të mëdhenj të punuar, të cilët janë marrë nga gurore larg lokalitetit.
Zbulimi i mëtejshëm përfshin edhe një mbishkrim funerar tjetër në afërsi, i cili do të analizohet për shkak të gjendjes së tij të dëmtuar.
Bazuar në inventar, teknikat e ndërtimit dhe të dhënat epigrafike, ky monument daton në shekujt III-IV e.s., duke e bërë atë një prej zbulimeve më të rëndësishme romake në Shqipëri.
Ekspertët presin që hulumtimet e mëtejshme të nxjerrin të dhëna të reja që do të pasurojnë hartën arkeologjike të prapaskenës së territorit shqiptar.