Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
04 qershor 2025
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, vlerësoi se situata aktuale në dialogun Kosovë–Serbi është pasojë e taktizimeve të Serbisë dhe mungesës së qeverive funksionale në të dy vendet.
Vlerësimet për ecurinë e dialogut Kosovë–Serbi vijnë pas deklaratës së zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili pas një takimi me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, tha se takimi i planifikuar për 2 qershor do të duhej të ishte trepalësh. Megjithatë, përfaqësuesit serbë u përballën me vonesa në udhëtimin e tyre drejt Brukselit.
Zyrtari qeveritar Shqipe Sadiku vlerësoi se përparim real në dialogun ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në aspektin politik, mund të pritet vetëm pas formimit të qeverive të reja si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.
“Serbia po përdor taktika për të mos krijuar kushte të përshtatshme për zhvillimin e dialogut dhe arritjen e ndonjë marrëveshjeje. Dialogu teknik vazhdon me vështirësi, ndërsa ai politik ka ngecur plotësisht. Kosova ende nuk ka një qeveri funksionale të dalë nga zgjedhjet e fundit, ndërsa edhe në Serbi aktualisht është një qeveri e përkohshme, me mundësi të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme,” u shpreh Sadiku.
Sipas tij, për të folur për përparim në dialog, veçanërisht në temat politike, duhet pritur krijimi i qeverive të reja në të dyja vendet.
“Kësisoj pas këtyre zgjedhjeve që mund të mbahen ose pas krijimit të qeverisë së re në Kosovë dhe në Serbi, mund të flasim për përparim në dialog, veçanërisht në temat politike”, tha ai.