Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
15 maj 2025
Pas marjes së kompetencave në mënyrë zyrtare, më 13 maj 2025 për menaxhimin e sistemit të ujësjellësit në komunat e Veriut të Kosovës, sot në orët e para të mëngjesit, zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, të shoqëruar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ambientet e Ujësjellësit Rajonal të Gazivodës.
Lajmin e ka bërë të ditur portali Zubin Potok info, ndërsa veprimi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se po ofron asistencë gjatë këtij operacioni.
Objekti në fjalë, i njohur si Ujësjellësi Rajonal i Gazivodës, është ndërtuar disa vite më parë, dhe sipas raportimeve të mëhershme mediatike, investimi në të ka kapur shumën e rreth 16 milionë eurove, të financuara nga Serbia.
Deri tani nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi arsyet e këtij veprimi, ndërsa informacione shtesë pritet të publikohen gjatë ditës.