Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
15 maj 2025
Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina do të takohen për bisedime të drejtpërdrejta për paqe për herë të parë pas më shumë se tre vjetësh në Stamboll. Megjithatë, përbërja e tyre do të jetë në nivel teknik, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë. Bisedimet do të mbahen më 15 maj, në Pallatin Dolmabahçe, në Stamboll, dhe do të zhvillohen në mënyrë private, pa praninë e mediave, kanë raportuar mediat ruse.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është nisur drejt Turqisë, sipas agjendës së tij, edhe pse Putin ka refuzuar të udhëtojë për të marrë pjesë në bisedime. Zelensky do të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Ankara, por nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Stamboll. Ai kishte deklaruar më herët se ishte i gatshëm të takohej vetëm me Putinin dhe jo me zyrtarë të tjerë të nivelit të ulët nga Moska.
Pritshmëritë se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të merrte pjesë në bisedime u shuan, kur një deklaratë e Kremlinit njoftoi se Putin kishte nënshkruar më 14 maj një urdhër për të emëruar katër negociatorë dhe katër ekspertë që do të përfaqësojnë Rusinë. Trump, i cili po zhvillon një vizitë katërditore në disa vende të Lindjes së Mesme, kishte thënë më herët se mund të ndalej në Turqi, nëse kjo do ta bënte Putinin të merrte pjesë.
“Nuk e di nëse ai [Putini] do të shkonte, nëse unë nuk jam atje”, u tha Trump gazetarëve nga Air Force One më 14 maj, teksa po fluturonte nga Arabia Saudite në Katar. “E di që ai do të donte të isha atje – dhe kjo është e mundur. Nëse do të mund ta ndalonim luftën, do ta konsideroja me seriozitet”. Mediat amerikane raportuan se të dërguarit amerikan, Steve Uitkoff dhe Keith Kellogg, pritet të jenë në Stamboll.
Deklarata e Kremlinit konfirmoi se zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Aleksandr Fomin, i cili kishte marrë pjesë në bisedimet e para mes palëve pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, do të jetë pjesë e delegacionit rus. Delegacioni do të drejtohet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i Putinit, i cili gjithashtu kishte marrë pjesë në rundin e fundit të bisedimeve më shumë se tre vjet më parë. Medinsky konsiderohet si një figurë me ndikim në promovimin e pretendimeve historike të Rusisë ndaj një pjese të madhe të territorit ukrainas dhe ka qenë autor i disa librave shkollorë me interpretim nacionalist të historisë ruse, që janë kontestuar nga historianë të pavarur.