Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
07 Janar 2025
Është viti i katërt që presidentja Vjosa Osmani nuk është duke e shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese që t’i falë të burgosurit, pavarësisht se numri i kërkesave për falje në vitin 2024 ka arritur në 105.
Por nga Presidenca bëjnë të ditur se këtë vit Komisioni për Falje ka rekomanduar për falje një të dënuar dhe ky rekomandim është në procedurë të shqyrtimit nga Presidenca.
Ndërsa, gjithsej janë shqyrtuar tetëdhjetë e nëntë kërkesa për falje të personave të dënuar, ndërsa gjashtëmbëdhjetë prej tyre janë në pritje të shqyrtimit nga Komisioni, pas kompletimit të tyre me informata shtesë.
Përfaqësues të drejtësisë dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, thonë se pavarësisht që presidentja ka mundësi që të fal ose jo të burgosurit, mos faljen e tyre e konsiderojnë si një shkelje të të drejtave të njeriut, transmeton Klankosova.tv.
Avokati Xhevdet Smakiqi tha se mungesa e faljeve për katër vjet është një keqpërdorim i diskrecionit presidencial.
Sipas tij, praktika e faljeve është një element i rëndësishëm i demokracive perëndimore, që ndihmon në rehabilitimin e të dënuarve.
“Është e çuditshme në një shtet demokratik siç pretendon dhe është Kosova me Kushtetutën e saj dhe ne duhet të zbatojmë praktikat më të mira të shteteve demokratike perëndimore. Ju e keni parë që edhe Joe Biden dhe plot shtete ku presidentët në fund të vitit, apo për ndonjë festë kombëtare zakonisht e përdorin institutin e drejtës penale që është falja, pra në mënyrë individuale të presidenteve të shteteve përfshirë edhe Vjosa Osmanin ka diskrecion. Por, nuk mund të quhet diskrecion apo keqpërdorim të diskrecionit, kemi të bëjmë me një keqpërdorim të diskrecionit të presidentes e cila për katër vite nuk e ka aprovuar as një rekomandim të Komisioneve të cilët ekzistojnë një varg kërkesash dhe kushtesh të cilat përmbushen”, ka thënë ai.
Sipas Smakiqit, për një periudhë katërvjeçare, presidentja Osmani nuk ka pranuar asnjë rekomandim për falje, duke e cilësuar këtë si një shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut.
Ai tha se është e dhimbshme mosfalja e të dënuarve duke marrë parasysh që vetë Osmani është juriste.
“Unë e konsideroj këtë si pjesë të karakterit të Vjosa Osmanit dhe është e dhimbshme se ajo është edhe vetë juriste. Mbi këtë bazë çuditem se çfarë etike profesionale mund të ketë një presidente e cila për katër vite rresht nuk fal sepse falja nuk nënkupton që t’i po ndërhynë në sistemin e drejtësisë, por nënkuptim një vullnet të mirë dhe një praktikë demokratike, në një shtet ku nuk do të thotë të lirohen të burgosurit, por për shembull t’i falen disa vite, ti falen disa muaj, ata që janë në fund dënimit që kanë sjelle të mira që nuk janë në komisione disiplinore të SHKK-së. Pra’ ata të cilët në një farë mënyre janë përgatitur të kthehen shoqërisë, presidentja nuk po ja jep këtë mundësi dhe unë e konsideroj edhe shkelje të të drejtave të njeriut dhe kjo do të pasqyrohet edhe në raportin e progresit të organizatave të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.
Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, e cilësoi këtë situatë si të paprecedentë, duke e krahasuar me sisteme diktatoriale.
Shala ka theksuar se mungesa e faljeve mund të ndikojë negativisht në motivimin e të burgosurve për t’u sjellë mirë dhe ka pasur gjithashtu shqetësime se ky veprim do të ketë pasoja për reputacionin e vendit.
“Nuk ka ndodh në historinë jo vetëm të Kosovës por edhe në shtet diktatoriale fashiste që nuk ka pasur falje, i ke parë kohën e fundit para një viti sa ka përfituar Shqipëri të burgosurit, edhe Biden ka falur një numër të madh të dënuarve, në mesin e tyre edhe një shqiptar i akuzuar për trafikim me narkotik. Që tek ne nuk hynë as në listë për falje.”
Shala ka thënë se është për t’u çuditur edhe fakti se si vetë presidentja ka krijuar Komisionin, i cili i trajton kërkesat e të burgosurve për falje dhe se nuk i merr parasysh ato rekomandime të Komisionit.
Shala ka përmendur edhe disa raste të të burgosurve që do të duhej të liroheshin.