“Ministrja, shtrigë e ligë”- Kryeministri britanik i përgjigjet Elon Musk: Vija e kuqe është kaluar…

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

06 janar 2025

Miliarderi Elon Musk, që arriti të sigurojë një post në administratën Trump, ka vijuar me ndërhyrjet e tij në politikën britanike, të cilat kanë qenë veçanërisht të ashpra që prej marrjes së pushtetit nga laburistët. 

Ditën e sotme, kryeministri britanik Keir Starmer, i është përgjigjur Musk, pasi njeriu më i pasur në botë kritikoi ministren e tij, Jess Phillips.

Pa e përmendur drejtpërdrejt Musk-un, Starmer tha se “është kaluar një vijë e kuqe” pasi Phillips përjetoi sulme të ashpra nga aleati i Donald Trump-it javën e kaluar.

CEO-ja i X e quajti ministren e Partisë Laburiste për mbrojtje “një shtrigë të ligë,” një “avokate të genocidit për dhunimet, e cila duhet të futet në burg.”

Kjo ndodhi pasi Phillips raportohet se kishte refuzuar thirrjet për një hetim publik mbi abuzimet historike me fëmijët në Oldham, duke deklaruar se një vendim i tillë i përkiste këshillit lokal. 

Musk kritikoi gjithashtu Starmer-in për mosndjekjen penale të grupeve të abuzimit seksual gjatë kohës kur ai ishte drejtor i prokurorisë publike, duke thënë se “ai duhet të jetë në burg.”

I pyetur të hënën për reagimin e tij ndaj fyerjeve të Musk-ut, Starmer tha: “Për Elon Musk, mendoj se shumica e njerëzve janë më të interesuar për atë që do të ndodhë me NHS-in (Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë), sinqerisht, sesa për atë që po ndodh në Twitter.”

Megjithatë, ai theksoi se është e rëndësishme të diskutohen çështjet e ngritura gjatë polemikës.

Ai vazhdoi: “Shfrytëzimi seksual i fëmijëve është tmerrësisht i neveritshëm, tmerrësisht i neveritshëm, dhe për shumë vite, shumë viktima janë lënë plotësisht në baltë, të braktisur nga ide të shtrembëruara mbi marrëdhëniet komunitare, apo nga ide që institucionet duhen mbrojtur mbi të gjitha të tjerat. Ata nuk janë dëgjuar dhe nuk janë marrë parasysh.
Kur isha prokuror i përgjithshëm për pesë vite, e trajtova këtë çështje drejtpërdrejt, sepse e kuptoja çfarë po ndodhte. Për këtë arsye, kam rihapur raste që ishin mbyllur dhe supozohej se kishin përfunduar; kam sjellë ndjekjen e parë të madhe penale ndaj një bande abuzuesish me origjinë aziatike”, tha Starmer. 

Duke iu referuar mbështetjes së fundit të Musk për ekstremistin e së djathtës, Tommy Robinson, Starmer tha: “Ata që po përhapin gënjeshtra dhe dezinformata sa më shumë dhe sa më gjerë të jetë e mundur, nuk janë të interesuar për viktimat, por për vetveten.”

Scroll to Top